Postuar më: October 28, 2021
Sa gjatë duhet të qëndrojmë në të njëjtën punë?
Eksperiencën e gjatë në të njëjtin vend pune ne zakonisht e konsiderojmë si arritje, por qëndrimi në të njëjtin vend pune mund të jetë po aq i dëmshëm për përparimin në karrierë, rritjen në pagë dhe mundësinë e zhvillimit profesional.
Kanë ikur ato kohë kur mbaroje shkollën dhe më pas filloje punë në një kompani në një pozicion të caktuar dhe vazhdoje punën për dhjetë vjet, njëzet apo tridhjetë vjet në pritje që drejtuesit të na promovonin përpara pensionit.
Pritshmëritë tashmë kanë ndryshuar si për punëdhënësin dhe për punëmarrësin.
Sot, punësimi i qëndrueshëm merr vlerë nëse ju do të kryeni punën tuaj në nivelet më të larta në mënyrë që të ndihmoni punëdhënësin tuaj të arrijë qëllimet e tij dhe në këmbim të kësaj do të merrni pagën dhe përfitimet e përkatëse.
Megjithatë, marrëdhënia punëdhënës-punonjës është plotësisht e ndryshueshme dhe reciproke dhe "rregullat e lojës" lejojnë që herë pas here të lini një punëdhënës dhe te shkoni tek një tjetër.
Sa kohë e shpenzuar në një vend pune dëmton karrierën tuaj?
Nëse qëllimi juaj është promovimi dhe ngjitja në shkallët e karrierës, të mbeteni pesë vjet në të njëjtin pozicion shpesh është shumë gjatë për ju. Kjo mund të mos përshtatet për të gjitha profesionet, por për shumicën kështu është.
Konsulentja Terina Allen inkurajon këdo të fillojë të kërkojë për ndryshim pune/karriere pasi të ketë punuar katër vjet (në nivel të lartë) në të njëjtën punë. Arsyeja pse duhet ta filloni këtë proces në pikën katërvjeçare në vend që të prisni derisa të mbushni pesë vjet është se procesi i kërkimit të punës shpesh mund të marrë mjaft kohë. Gjithashtu, tregu i punës mund të jetë mjaft konkurrues.
"Në kufirin e pesë viteve, ju rrezikoni të bëheni një "mbrojtës pune" dhe kjo mund të jetë po aq e rrezikshme për perspektivat tuaja të ardhshme të karrierës sa edhe kërkimi i punës." - thotë ajo.
Sigurisht që mund të dëshironi të filloni rritjen në karrierë me punëdhënësin tuaj aktual nëse ju pëlqen të punoni atje, por nëse nuk po krijohen mundësi për ju, mund t'ju duhet të largoheni vërtet.
Le të flasim për 3 rreziqet që u krijohen "të ngujuarve në punë", ata që qëndrojnë në të njëjtin pozicion, me të njëjtën kompani, për 5 ose më shumë vjet.
Në varësi të qëndrueshmërisë suaj në punë ju mund të klasifikoheni sipas Terina Allen, në: Plesht pune, punonjës të qëndrueshëm dhe të ngecurit / të ngujuarit në punë.
Rreziku #1 - Sa më gjatë të qëndroni, aq më të dobëta janë shanset tuaja për promovim.
Rreziku #2 – Personat e punës paguhen shumë më pak gjatë karrierës së tyre sesa ata që largohen nga kompania.
Rreziku #3 – Personat e ngujuar në të njëjtën punë janë më pak interesantë për drejtuesit dhe rrezikojnë të bëhen të parëndësishëm.
Mbani mend, pasi keni qenë në të njëjtin pozicion për katër ose pesë vjet, ekipi ka të ngjarë të ketë parë shumë nga aftësitë tuaja dhe rrezikoni të bëheni më të parëndësishëm çdo vit pasardhës. Kjo nuk është për shkak se ju jeni në të vërtetë i parëndësishëm; është thjesht sepse njerëzit e rinj, "me shkëlqim" hyjnë dhe tërheqin vëmendjen. Bëhet fjalë për perceptimin. Bëhet fjalë për nevojën.
Pra, pyetja që shtrohet për ju është: "Nëse jeni duke u kapur në të njëjtin pozicion pas pesë vjetësh, pse po e bëni?" Nëse nuk ofrohen promovime, merrni parasysh edhe një lëvizje anësore në një departament tjetër, në mënyrë që të jeni personi i ri "me shkëlqim" dhe të mësoni e të shtoni diçka të re dhe të ndryshme.