Postuar më: February 29, 2016
Model bashkëkohor i një CV-je sipas duapune.com
Model CV-je i duapune.comTregohuni koncizë
CV-ja nuk është një autobiografi, por ka për qëllim të mbështesë kandidaturën tuaj për pozicionin që dëshironi të aplikoni/punoni. Shkruani vetëm informacionet kyçe mbi eksperiencat tuaja profesionale dhe atyre që kanë lidhje me këtë pozicion dhe sidoqoftë ju këshillojmë të mos dërgoni CV më të gjatë se 2 faqe.
Radhisni eksperiencat tuaja sipas rendit kronologjik CV-ja duhet të ketë një rend kronologjik: në fillim vendosni të dhënat më të fundit. Këto janë dhe informacionet më të rëndësishme për seleksionuesin.
Justifikoni periudhat e papunësisë Kjo është një pjesë që nuk duhet nënvlerësuar! Nuk ka gjë më të keqe sesa paraqitja e një CV-je me periudha të gjata shkëputjeje. P.sh. nëse keni udhëtuar shumë apo keni qëndruar në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët apo nëse keni ndonjë arsye tjetër, më mirë të flisni paraprakisht dhe shpjegoni arsyet e kësaj kohe të gjatë pa punë. Zakonisht seleksionuesit janë skeptikë kundrejt personave që kanë një periudhë të gjatë papunësie. Informacionet në CV duhet të jenë lehtësisht të verifikueshme. Gjatë intervistës, mund t’ju pyesin të jepni shembuj ose të shpjegoni më qartë pozicionin që keni patur.
Drejt e në temë Mos humbni kohë kot: CV-ja duhet t’i transmetojë rekrutuesit mesazhin se ju jeni njeriu i duhur për atë kompani. Sigurohuni që të nxirrni në pah kualifikimet më të rëndësishme në fillim dhe t’i paraqisni në mënyrë që të tërheqë vëmëndjen.
Tregohuni të sinqertë Seleksionuesit janë gjithmonë skeptikë kur kanë përpara dikë me cilësi të ekzagjeruara apo që ka arritur rezultate të shkëlqyera. Përshkrimi në mënyrë të ekzagjeruar i objektivave që keni arritur mund të çojë në përballimin e pyetjeve “me spec” dhe shumë të detajuara gjatë intervistës, apo më keq, mund të kushtëzojë gjithë intervistën tuaj. Tregohuni të sinqertë dhe mos gënjeni mbi eksperiencat dhe kompetencat tuaja.
Mos harroni të vendosni kontaktet tuaja Këto informacione duhet të shkruhen patjetër në faqen e parë të CV-së, sipër në të majtë dhe duhet të përmbjanë adresën e-mail personale dhe numrin e telefonit. Do të ishte më mirë të mos jepnit kontaktet e punës tuaj aktuale.
Vendosni në CV edhe eksperiencat e tjera Vendosni në pah aftësitë tuaja, trajnimet, punën vullnetare apo eksperienca të tjera që seleksionuesi mund të vlerësojë. Mund të përmendni takime që mund të keni patur apo aktivitete të përfunduara me sukses, që kanë lidhje me pozicionin ku po aplikoni.
Tregohuni profesionistë Më mirë të mos përmendni hobitë tuaja ose informacione personale të parëndësishme për pozicionin ku po aplikoni. Nëse dërgoni një CV me foto, sigurohuni që fotografia e përdorur të ketë një sfond neutral dhe ju përfaqëson në mënyrë serioze dhe profesionale.
Fokusohuni në objektiv Është shumë e rëndësishme që CV-ja të jetë shkruar mirë, pa gabime ortografike ose gramatikore. Këto të fundit tregojnë mungesë vëmendjeje ndaj detajeve. Një CV konkrete dhe profesionale duhet të bindë seleksionuesin se jeni një person i besueshëm mbi të cilin ia vlen të investohet.
Testoni CV-në tuaj Testimi i CV-së është një ide e mirë: mund t’i kërkoni një shoku apo një familiari t’i hedhë një sy strukturës dhe përmbajtjes. Nëse njihni dikë nga që punon në fushën e burimeve njerëzore, mund t’i kërkoni një mendim.